September 8 2015 17:00 | City Centre

Meditim



Share On

Gerhard Ulrich

Bishop, Lutheran World Federation (LWF), Germany
 biography

Dashuria vëllazërore le të mbetet. Mos harroni mikpritjen, sepse disa duke e praktikuar, e pritën pa ditur ëngjëj! Kujtoni të burgosurit si të ishit të lidhur bashkë me ta, dhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju vetë jeni në trup


Kjo është një fjalë e fortë, një fjalë që bota dëshiron ta dëgjojë në këtë kohë: dashuria vëllazërore le të mbetet! Nuk ka nevojë të shtosh diçka tjetër. Mos pushoni të doni njëri-tjetrin. Duket sikur bota po digjet. Shkatërrimi, urrejtja, dhuna vënë në rrezik tërë njerëzimin. Fotoja e fëmijës së vogël të vdekur në bregdetin e Turqisë lëvizi njerëzit në të gjithë botën: na duhet të luftojmë përsëri në dobi të paqes. Duhet të ngrejmë zërin tonë në dobi të refugjatëve dhe të varfërve. Duhet t’u japim zemrën liderëve të botës që ta ndalojnë luftën, si dhe t’i hapin kufijtë e botës së lirë.

Në gjuhën gjermane teksti i Biblës përkthehet kështu: “Mos harro të jesh i lirë për të mikpritur”. Jezusi na tha se do te jemi të lirë për të dashur të tjerët dhe kjo do të thotë që ata që po e ndjekin Atë, nuk mund të heqin dorë nga mikpritja! Si të krishterë, ne nuk jemi të lirë të mos i presim refugjatët që po vijnë në Evropë. Ne nuk jemi aspak të lirë t’i mbyllim kufijtë tanë dhe dyert tona. Nuk jemi të lirë të mos ndajmë çka kemi dhe që na duhet për të jetuar: dashuria dhe paqja, ushqimi dhe paraja, koha dhe shtëpitë. Boll janë këto për të gjithë. Letra drejtuar hebrenjve na paraqet diçka të thjeshtë: mikpritja nuk është vetëm diçka e dobishme për të huajt që i trokasin derës sonë; ajo është e dobishme për të gjithë ne, sepse mund të ishte një ëngjëll përpara nesh, i ulur pranë nesh, që na flet. Lë të mos e humbin këtë shans! Në fakt, Hyji na bëri vetëm pak më të vëgjel se vetë Ai! Dhe kjo tregon se sa vlerë paskemi ne për Të! Këto fjalë, “na bëri vetëm pak më të vëgjel se vetë Ai”, janë burim dinjiteti për çdo individ. Vlera e pafundme dhe dinjiteti i pashkelshëm i njerëzimit nuk janë rezultati i sukseseve tona, por janë fryti i mëshirës. Përderisa Hyji më shikon me dashuri, unë jam ai që jam: një bir i Tij i dashur dhe i çmuar. Prandaj, nuk jemi të lirë të mos jemi mikpritës. Të mos jesh mikpritës ndaj të huajve do të thotë të pengosh Hyjin që të jetë me ne!

Të jesh mikpritës është e dobishme edhe për vetë ne, pasi vetë ne mund të përfundonim në burg, mund të ishim në rrezik ose të prekur nga dhuna, siç u ndodh të huajve në shumë vende të botës.
Le ta falënderojmë mëshirën e Hyjit: mos u ndjeni të lirë të mos jeni mëshirëplotë ndaj të huajve.

Për fat të keq, po shohim që në botë nuk ka fare mëshirë. Luftrat dhe përndjekjet, urrejtja dhe dhuna tregojnë se u larguam prej Hyjit, si dhe që të tjerët nuk na duken më si imazhi i Tij. Sot në Evropë nuk ka asgjë tjetër që na prek më shumë se sa rritja e vazhdueshme dhe dramatike e numrit të atyre që janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, sepse janë të tmerruar, janë të përndjekur, ose sepse kanë frikë për jetën e tyre. Në vendet e tyre të origjinës ata janë të poshteruar. Kjo përbuzje është e kunderta e hirit të Hyjit, dhe kjo i shtyn njerëzit të largohen nga vendi i tyre.
Këta po kërkojnë vetëm hirin, fytyrën e Zotit që të shndritë mbi ta. Nuk po kërkojnë pasuri ose ndonjë aventurë. Vrapojnë dhe ikin për të fituar përsëri dinjitetin e tyre. Jam i kënaqur dhe jam mirënjohës të gjithëve atyre që në Evropë janë mikpritës ndaj të huajve, që hapin zemrën dhe shtëpitë të tyre. Këta pasqyrojnë hirin e Hyjit dhe njohin që çdo i huaj “është bërë vetëm pak më i vogël se vetë Hyji”. Falënderoj anëtarët e Komunitetit S.Egidio për përpjekjet që ushtrojnë kudo në botë, në dobi të refugjatëve dhe të mjerëve; gjithashtu, i falënderoj për respektin shëmbullor të dinjitetit të këtyre njerëzve, të çrrënjosur nga vendet e tyre të origjinës.

Fatkeqësisht, për këta njerëz nuk ka mëshirë as këtu mes nesh. Në Gjermani vendet ku rrinë refugjatët po digjen, vetë refugjatët shahen dhe përbuzen. Këta nuk njihen më si qenie njerëzore, por si burim problemesh. Cila është arsyeja? Me siguri që në Evropë dhe në Gjermani fryn një erë neonaziste: ka persona që kanë urrejtje të madhe ndaj të gjithë të huajve, ka persona që duan të ngrejnë lart veten e tyre, më shumë se sa kultura të tjera. Duan t’i shohin të tjerët më poshtë se sa veten e tyre. Duan ta ushtrojnë pushtetin e tyre, duke shfrytëzuar frikën dhe shqetësimet e bashkëqytetarëve të tyre, në mënyrë që ta ruajnë pushtetin e tyre.

Por si ka mundësi që njerëzit, të cilët zakonisht nuk merren dot me politikën, që qytetarët normalë të lagjes të bashkohen me ksenofobët e rregjur? Si ka mundësi që edhe këta nuk duan t’i mirëpresin fare të huajt dhe nuk duan ta kuptojnë aspak gjendjen e tyre? Shpesh herë ata që druajnë se kultura e tyre po zhduket, nuk i njohin fare kulturat e tjera, të huajt. Këta janë të shtypur nga frika: frika e refugjiatit, frika e të huajve në përgjithësi, frika e së ardhmes. Të huajt bëhen si kokë turku për keqardhien që këta kanë për jetën e tyre, për urretjen ndaj kulturës së vetë, e cila tregon në këtë mënyrë shumë pak respekt. Shume prej këtyre njerëzve kurrë nuk e kanë njohur hirin e dashurisë. Shumë prej këtyre janë vetë ata “pa shtëpi”, vetë ata nuk janë të sigurt për vendin e tyre në shoqërinë.

Vetëm atyre që iu mbush zemra me hir dhe mëshirë, mund të bëhen të mëshirshëm. Vetëm ai që ndihet i dashur, mund të dojë të tjerët. Hyji na liron, duke na falur lirinë për të jetuar. Hyji do që të veprojë nëpërmejt nesh, për të vënë në jetë veprat e tij të mëshirëshme, ne që jemi bijtë e Tij të dashur.

Kjo është një dëtyrë e madhe për kishat e krishtera dhe për të gjitha besimet e botës. Duhet te respektojmë dhe mbështesim njëri-tjetrin, me qëllim që të luftojmë kundër mungesës së mëshirës dhe pasojave të saj: urretjes, dhunës, largimit prej të tjerëve. Ne, që e njohim mikpritjen e Hyjit, mëshirën dhe dashurinë pa çmim të tij, shtyhemi ta përdorim lirinë tonë për të mirëpritur ata që nuk e dinë se ku të drejtohen.

Dashuria vëllazërore le të mbetet. Mos harroni mikpritjen....